Insajderi sjell një artikull të veçantë të gazetës amerikane New York Times, kushtuar dy skuadrave të futbollit me të njëjtin emër – Trepça, në qytetin e Mitrovicës (në veri dhe jug të saj). NYT shkruan për lavdinë e dikurshme të Trepçës dhe rënien e të dy skuadrave të futbollit pas ndarjes së tyre në vitin 1991.
Edhe në mesin e flamujve dhe fanellave të sponsorizuara dhe të gjitha simboleve të tjera të lojës moderne të futbollit, Bardhec Seferi mund të mbyllë sytë dhe ende ta shohë lartësinë e barit në stadium.
Seferi po qëndronte në fushën e futbollit në stadiumin olimpik “Adem Jashari”, në këtë qytet verior të Kosovës. I gjatë dhe tani në të 50-at e tij, ai shikoi Trepçën, ish-klubin i tij – ekipi që i ishte bashkuar si fëmijë dhe kishte luajtur si qendërmbrojtës në futbollin profesionist- teksa humbi ndaj kampionit aktual të Kosovës në futboll, Ferronikelit.
Seferi dukej i dëshpëruar. Ndeshja u luajt në një pasdite të mesjavës, dhe turma ishte e vogël, vetëm disa qindra njerëz. Edhe më keq, humbja 1-0 e kishte dërguar klubin drejt pjesës së poshtme të ligës. Kjo ishte një pilulë e hidhur në gëlltitje për të gjithë që ishin të lidhur me këtë ekip krenar, i cili në vitin 1970 u bë klubi i parë nga Kosova që luajti në ligën e parë të Jugosllavisë.
Në ato ditë, 20.000 tifozë vinin në stadium për të parë një ekip të serbëve, boshnjakëve, kroatëve dhe shqiptarëve të Kosovës teksa luanin së bashku në një skuadër. Por ajo ishte një kohë tjetër, dhe një shtet tjetër, para luftërave që e ndanë qytetin e Seferit, dhe ekipin e tij.
Sot, ka dy Trepça në Mitrovicë: një ekip shqiptar në jug, i quajtur KF Trepça dhe një ekip serb në veri, i quajtur FK Trepça. Të dyja skuadrat kanë praktikisht të njëjtën stemë, dhe të dyja luajnë me uniforma me ngjyra të gjelbërta e të zeza. Të dyja skuadrat me krenari thonë se klubi i Trepçës ishte formuar në vitin 1932. Dhe, teksa tani dy Trepçat luajnë në liga të ndryshme kombëtare, të dyja pretendojnë se janë trashëgimtarët e vërtetë të historisë së klubit.
Pas vitit luftës së Kosovës në vitin 1998 dhe rivendosjes së hartës etnike të qytetit, FK Trepça tani luan në nivelet e ulëta të kategorive të futbollit të Serbisë, jashtë stadiumit që ata pretendojnë se është i tyre. Ndërsa KF Trepça ka filluar si një shenjë proteste për pavarësi para se të fitohej anëtarësimi në Federatën e Futbollit të Kosovës.
“Kur u ktheva këtu pas luftës, bari ishte aq i gjatë këtu, sa që ju nuk mund të shihnit as kërthizën tuaj”, tha Seferi për stadiumin e Trepçës, teksa bënte një lëvizje plot gjallëri të mënyrës së si mbante kosën. “Nuk mund të shihej asgjë në stadium. Pra, të gjithë ne lojtarët e hoqëm barin vetë. Por ne ishim në shtëpi. ”
Mitrovica dikur renditej ndër qytetet më të pasura dhe më të gjalla në Jugosllavi. Një qytet i minareve dhe kishave ortodokse, ajo kishte një popullsi të përzier shqiptare dhe serbe që gëzonte punësim të përgjithshëm falë minierave të Trepçës, nga e cila u huazua edhe emri i klubit të qytetit. Deri në 70 për qind të prodhimit vjetor bruto të Kosovës erdhi nga minierat, të cilat prodhuan zink, argjend dhe ar.
Pasuria e madhe e qytetit kishte ndihmuar që ta dërgonte klubin e vet të futbollit në ligën e parë të Jugosllavisë në vitin 1977, dhe në finalen e parë të kupës një vit më vonë.
“Ishte një nga ligat më të mira ndonjëherë,” kujton Seferi, i cili kishte luajtur në vitet 1980 dhe 90’. Lojtarët edhe pse ishin nga Serbia apo Bosnja, ishin si familje me njëri-tjetrin, thotë ai.
Ai me krenari tregon një foto që ai mban në celularin i tij; ku shfaqet ai në një version më të ri në moshë, me flokë kaçurrele të zeza, duke shënuar me kokë kundër Yllit të Kuq të Gjilanit, para një turme të madhe njerëzish në stadium.
“Ne shkonim shumë mirë me njëri-tjetrin”, tha ai për skuadrën e Trepçës.
Por nga viti 1989, Trepça ishte duke luftuar në ligën e tretë të Jugosllavisë. Dhe së shpejti ekipi do të ndahej sikurse vendi i saj.
Ndarja dhe Zbritja
Pas vdekjes së udhëheqësit komunist Josip Tito në vitin 1980, Jugosllavia filloi të ndahej. Nga fundi i viteve 1980, rritja e një udhëheqës të ri jugosllav, Sllobodan Millosheviç, një serb, udhëhoqi një lëvizje kundër autonomisë së Kosovës.
Protestat shpërthyen në të gjithë krahinën, duke e vendosur shumicën dominuese shqiptare në konflikt të hapur me shtetin. Më shumë se një mijë minatorë të Trepçës organizuan një grevë të nëndheshme për tetë ditë dhe netë. Nga viti 1991, lojtarët shqiptarë të Trepçës vendosën të largoheshin nga ekipi.
“Ishte pjesë e politikës së palës serbe”, thotë Seferi. “Ata thanë se në qoftë se ju doni të vazhdoni të luani me ne, ju duhet të pranoni ligjet tona, qeverinë tonë. Ne ishim kundër tyre”.
Në vend të kësaj, Kosova formoi një kampionat futbolli paralel, të paligjshëm, duke zhvilluar lojëra në fusha të improvizuara. “Policia do t’i ndalte ndeshjet në mes dhe arrestonte të gjithë, ndonjëherë i mbante të gjithë të arrestuar për tre apo katër ditë dhe i lëshonte”, ka thënë presidenti i KF Trepçës, Ajet Shosholli.
Derisa ekipi i ri i Trepçës luante në fusha të këqija dhe teksa futbollistët pastroheshin në lumenj pas lojërave të tyre, FK Trepça vazhdoi të garonte në nivelet e ulëta të futbollit të Jugosllavisë pa futbollistët shqiptarë. “Ishte ndjenjë e tmerrshme t’i shihje ata teksa luanin”, ka thënë Seferi. “Ne ishim duke luajtur në fshat, duke u lënduar. Ne arrestoheshim. Ngacmoheshim. Por, ne vazhdonim të luanim”.
Pas tetë viteve në ligën e improvizuar të Kosovës, lojtarët u kthyen pas luftës së Kosovës. Stadiumi olimpik tani ishte në jugun e Mitrovicës. Bari i saj ishte i “egër” dhe stadium ishte kthyer në shtëpi për dhjetëra familje refugjatësh të cilët kishin ikur nga një luftë civile e përgjakshme. Të gjitha kupat dhe medaljet e klubit, më shumë se 60 vjet të historisë, ishin zhdukur.
“Unë nuk e di nëse ato janë djegur, ose ato ishin vjedhur, por ato nuk janë këtu”, ka thënë Shosholli. “E gjithë historia është fshirë.”
Petar Milosavljeviq kujton ndeshjen e fundit që Trepça e kishte luajtur si ekip i bashkuar, në vitin 1991. Trepça fitoi, 2-0, por atmosfera kishte ndryshuar. “Njerëzit ishin të frikësuar”, tha ai. “Gjëra politike kishin ardhur në stadium.”
Milosavljeviq, sekretari 76-vjeçar i FK Trepçës, ishte ulur në një zyrë të vogël të klubit me një distancë të shkurtër nga lumi Ibër, lumi që ndan qytetin – shqiptarët në jug, dhe serbët në veri. Ai ishte i rrethuar me fotografi nga e kaluara e ekipit. Emri i klubit është i shkruar në alfabetin cirilik mbi derë.
Zyra e FK Trepçës përmban një koleksion të kupave dhe medaljeve të saj, por asnjë prej tyre para vitit 1991. Milosavljeviq kishte marrë edhe trofe të vjetër që ishin ende në stadium. Kur lufta erdhi në Mitrovicë në vitin 1998, FK Trepça, sikurse kishin bërë shqiptarët më përpara, duhej ta lëshonte stadiumin. Ata nuk janë kthyer më kurrë aty.
FK Trepça tani luan në ligën e katërt së sistemit të futbollit të Serbisë, që udhëtojnë në distanca të gjata në qytetet serbe, në vend që të luajnë me ekipet e tjera në Kosovë. Klubi ndan një stadium të vogël në fshatin e afërt të Zveçanit dhe ka pak të holla. Por, Milosavljeviq thotë se të paktën klubi është i gjallë.
Nga ballkoni i tij, ai mund të shohë Trepçës tjetër duke luajtur ndeshjet e ligës së Kosovës apo teksa trajnohet në stadiumin olimpik. “Unë shoh çdo ditë lojtarë shqiptarë që luajnë atje dhe unë nuk jam atje,” thotë ai. “Ajo është shtëpia ime. Dhe unë jam gati të qaj kur i shoh ata”.
Krenari dhe Zemërim
Në një mëngjes të së dielës, lojtarët serbë dhe zyrtarët e FK Trepçës u takuan në një dyqan bastesh në veri të Mitrovicës para se të niseshin me autobusin e tyre për ndeshjen e ardhshme të ligës.
Do të ishte një udhëtim prej rreth katër orësh me makinë në veri, në zemër të Serbisë, për të luajtur ndaj FK Orlovac Mrcajevci. Teksa udhëtonin drejt veriut me autobus, lojtarët e rinj këndonin këngë të vjetra jugosllave, derisa ndaluan herë pas here një lojtar i cili kishte festuar një natë më parë, që të villte jashtë autobusit.
Lojtarët të gjithë ishin rritur gjatë luftës, dhe pak prej tyre mund ta kujtonin kur dy Trepçat kishin luajtur së bashku.
“Ata morën klubin tonë”, ka thënë Strahinja Jevtiç, një mbrojtës i cili ishte duke pritur për një vizë pune që të udhëtonte në Alaska. Ka pak punë në Mitrovicë tani, në veri ose në jug. Minierat janë penguar nga burokracia dhe politika. Vetëm disa qindra njerëz punojnë në Trepçë tani, kryesisht në anën e shqiptarëve të Kosovës.
“Ne kemi luajtur si një ekip i vetëm dikur”, shtoi Jevtic, “por ne kurrë nuk do të bashkohemi sërish”.
Autobusi arriti në një stadium të vogël, u përshëndet nga një fushë me gunga dhe një turmë prej 30 vetash.
Trepça shpejt e pësoi, 2-0. Në pushim, ekipi i zemëruar filloi të diskutoi në lidhje me paraqitjen e saj para se të fillonte pjesa e dytë. Trepça shënoi për të ngushtuar epërsinë e vendasve dhe humbi një mundësi të artë për të barazuar rezultatin. Rezultati përfundimtar ishte 3-1.
Lojtarët e FK Trepçës folën shumë pak gjatë udhëtimit për në Mitrovicë. “Kur ne fitojmë”, thotë mbrojtësi Branislav Radovic me një të qeshur, “atmosfera është shumë më e mirë”.
Politike dhe Personale
Milosavljevic, në vendin e tij të zakonshëm në ulësen e pasagjerit përpara, ka mbetur me shpresë se një ditë marrëdhëniet mes komuniteteve serbe dhe shqiptare do të përmirësohen. Ai tha se u vizitua vitin e kaluar nga Fadil Vokrri, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës. Tani që Kosova ka ekipin e vet kombëtar, FFK ka qenë në kërkim për lojtarë etnikë serbë të cilët do të merrnin në konsideratë përfaqësimin e Kosovës, ku jetojnë rreth 150.000 serbë. Por kjo nuk ka shumë gjasa.
“Tani për tani, kushtet nuk ekzistojnë”, tha Milosavljevic. Seferi, i cili ende mban në kontakt me shokët e tij të vjetër në veri, mban shpresën e tij për një lloj të pajtimit në mes të dy grupeve etnike, dhe dy Trepçave.
“Kemi një ftesë të hapur për ta”, tha ai. “Ata mund të bashkohen me ne sa herë që duan”.
Megjithatë tani edhe emri i stadiumit është një pengesë. Pas luftës stadiumit iu vu emri i Adem Jasharit, një themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai është konsideruar si një hero nga shqiptarët e Kosovës, por një terrorist nga serbët.
Pastaj skuadra e FK Trepçës, është me bazë në Kosovë, por duke luajtur në ligën e Serbisë. Federata serbe e futbollit pretendon se klubi është ligjërisht i tyre. Federata e Kosovës nuk është dakord, duke argumentuar se historia e klubit, dhe e ardhmja e tyre është në Kosovë.
FFK i bëri thirrje organit qeverisës të futbollit Evropian, UEFA, si dhe FIFA-s, për të marrë një vendim të qartë në rastin e dy Trepçave. Por UEFA është duke iu shmangur kësaj “lufte”, duke thënë se kjo çështje është në dorë të federatave, megjithatë duhet kohë. Mirëpo koha nuk është në anën e Petar Milosavljeviqit.
“Tre muaj më parë, më vdiq gruaja; Unë nuk jam i sigurt se sa kohë do të më japë tani Zoti”, tha ai. “Por unë do të isha shumë i lumtur që, edhe një herë, të shihja dy etnitë duke luajtur së bashku”.
Artikull i publikuar në New York Times – përkthyer dhe përshtatur nga Gazeta Insajderi