Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar përvjetorin e Masakrës në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë, transmeton Reporteri.net.
25 vjet më parë, më 13 mars 1999, nga granatat e forcave të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë u vranë mizorisht 7 civilë të pafajshëm, nga mosha 5-65 vjeçe.
“Në këtë akt makabër, u plagosën 128 persona në mesin e të cilëve fëmijë, gra, pleq e të rinj. Kjo masakër është një nga dëshmitë më autentike të brutalitetit të një regjimi kriminal, i cili synonte shfarosjen e shqiptarëve”, shkroi Osmani në Facebook.
“Sot, nderojmë kujtimin për të vrarët e asaj dite, ndërkohë që angazhimi ynë për vendosjen e drejtësisë mbetet i vazhdueshëm. Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët në masakrën në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë!”, përfundoi ajo.