20.7 C
Mitrovice
E premte, 22 Gusht, 2025
spot_imgspot_img

Hovenier: SHBA-ja e pakënaqur me kualitetin e partneritetit me qeverinë Kurti

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier është pyetur edhe për partneritetin mes SHBA-së dhe Kosovës.

Ai ka komentuar se partneriteti nuk mund të përcaktohet me “Po” ose “Jo. Sipas tij, mund të ketë partneritet të mirë dhe të fuqishëm, më pak të fuqishëm dhe partneritet të pamjaftueshëm.

“Mund të them me sinqeritet se nuk mendoj që qeveria ime mund të sinjalizojë më qartë se ne jemi të pakënaqur me kualitetin e partneritetit me qeverinë Kurti në këtë kohë. Se ne nuk besojmë se qeveria Kurti ka vëmendje të mjaftueshme ndaj shqetësimeve, të cilat vazhdimisht i kemi ngritur në lidhje me zbatueshmërinë e rregullores së Bankës Qendrore”, ka thënë Hovenier në takim me gazetarët.

“Nuk po e bëjmë këtë, siç thashë edhe më herët, për të mbrojtur dinarin, ne po e bëjmë këtë sepse është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë sepse nuk jemi të vetëm në këtë çështje. Se veprimet e qeverisë së Kosovës janë konsistente me angazhimet që ka marrë për t’u siguruar se të gjithë anëtarët e shoqërisë, përfshirë komunitetet pakicë, përfshirë komunitetin e serbëve etnikë në Kosovë, të mund të jetojnë me dinjitet dhe siguri”, ka shtuar ambasadori amerikan.

“Dhe ne besojmë se kjo rregullore nuk ofron këtë. Ne besojmë se është duke dëmtuar njerëzit e brishtë, ne besojmë se është duke shkaktuar shqetësime në komunitet dhe kjo është e panevojshme”.

Sipas ambasadorit, kjo ka ndikuar edhe në cilësinë e partneritetit mes SHBA-së dhe Kosovës.

“Nuk mund të them diçka më shumë tani, veçse të them se ne nuk duam të jetë kështu, por besojmë se arsyeja e këtij reduktimit të kualitetit të partneritetit tonë, arsyeja se përse unë nuk mund t’u them se partneriteti është i fuqishëm dhe pozitiv, është për shkak të kësaj zgjedhjeje sepse qeverisë i mungon reagimi i nevojshëm ndaj shqetësimeve që ne kemi ngritur”, ka thënë veç të tjerash ambasadori amerikan në Kosovë.

Më 19 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte deklaruar se bashkëpunimi me SHBA-në është i mirë. Por kishte pretenduar se kjo “nuk do të thotë se pajtohen për gjithçka”.

“Unë nuk e kam thënë qëndrimin e asnjë shteti tjetër por si kryeministër i Republikës së Kosovës kam folur që raportet tona, bashkëpunimi jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është shumë i mirë tash me jemi partner, aleatë, miq, kjo nuk do të thotë që pajtohemi absolutisht çdoherë në çdo vend për gjithçka, mirëpo në këtë aspekt kemi një Rregullore të re të Bankës Qendrore të Kosovës të cilën Qeveria e Republikës së Kosovës sipas Kushtetutës dhe ligjit, ka për detyrë ta mbështesë, andaj edhe unë them që raportet tona janë shumë të mira dhe i qëndroj kësaj fjale”, kishte thënë Kurti një javë më parë.

Ndërkaq më 13 shkurt, Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien lëshoi një deklaratë të fortë duke thënë se nëse Qeveria Kurti nuk i trajton Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partnere, atëherë një gjë e tillë ngreh pikëpyetje nëse edhe këta të fundit mund ta konsiderojnë qeverinë e Kosovës si partnere, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

O’Brien e cilësoi si “paaftësi qeverisjeje” vendimin e Kosovës për ndalimin e dinarit, rregullore kjo e BQK-së që hyri në fuqi me datë 1 shkurt.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën theksoi se një vendim i tillë ishte i nxituar dhe paparalajmërim, e që siç tha ai nuk është bërë përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur zgjidhje për problemet që mund të lindnin./Reporteri.net.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT