Emisari Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës dhe ka paralajmëruar pasoja nëse vazhdohet me këtë kurs por ka përsëritur e theksuar qëllimin e politikën e SHBA’së rreth saj.
Në intervistën e tij për Zërin e Amerikës Escobar e shprehu zhgënjimin e shqetësimin e SHBA’së me ekzekutivin e Kosovës por u pajtua se ka hapa drejt njohjes formale të Kosovës nga Serbia siç ka deklaruar Ndihmës Sekretari i Shtetit, James O’Brien, i cili së fundi ka thënë se Serbia ka marrë dy hapa të rëndësishëm drejt njohjes së Kosovës, kur i ka pranuar targat dhe dokumentet.
“Po pajtohem me Jim, ka të drejtë. Tani dëshirojmë që kjo të jetë e përhershme”.
Ai ka shtuar dhe theksuar megjithatë gjatë intervistës obligimet e zotuara të të dyja palëve në Dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian, të cilin e mbështesin fuqishëm, që presin të zbatohen.