Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka lëshuar urdhërarrest për 10 serbë që morën pjesë në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.
Radak Adziç, Milos Milenkovic, Dorde Baloviç, Danijel Đukic, Danilo Virijevic, Aleksandar Tanaskovic, Milos Kragovic, Miljan Nedeljkovic, Nikola Ilic dhe Vladan Ilic, kërkohen për shkak të dyshimit se kanë kryer vepra të rënda penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 126 i KPRK dhe kryerja e veprave terroriste nga neni 129 i KPRK.
Prokuroria ka urdhëruar që pas arrestimit të tyre, ata të shoqërohen nga Policia për në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Këtë urdhër për dhënien-lëshimin e letër-rreshtimit vendor do ta ekzekutojë Policia e Kosovës, Njësia për Hetimin Kundër Terrorizmit në kuadër të Drejtorisë për Hetimin Kundër Terrorizmit. Ky urdhër nuk ka afat të caktuar.
Më datë 15.02.2024, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka bërë kërkesë për dhënien e urdhrit vendor dhe ndërkombëtar.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, këtë kërkesë e ka parashtruar mbi bazën dhe faktin sepse ndaj të njëjtëve të pandehur është lëshuar urdhër-arrest i brendshëm për sigurimin e prezencës së tyre, është tentuar sigurimi i prezencës së tyre përmes shoqërimit në polici, por me rastin e kërkimit të të njëjtëve, policia nuk ka mundur të sigurojë e as t’i hasë të njëjtët në adresat e banimit”, thuhet në kërkesë.
“Këta të pandehur sipas informacioneve të mbledhura janë arratisur. Gjykata, marrë në konsideratë faktet e prezantuara në kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe raporteve zyrtare (njoftuese) të Policisë së Kosovës, të cilat e njoftojnë gjykatën se të pandehurit e kërkuar sipas këtij leter-rreshtimi, nuk gjenden në Republikën e Kosovës (gjenden jashtë Republikës së Kosovës) dhe se prezenca e të njëjtëve nuk ka mundur të sigurohet përmes urdhër-arrestit vendor (lokal), ka lëshuar-dhënë këtë letër-rreshtim vendor për sigurimin e prezencës së të pandehurve në këtë çështje penale hetimore”, thuhet në vendimin e siguruar nga Demokracia.com.