Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka bërë të ditur se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb do të zgjasë tre muaj.
Lajmin e ka kumtuar BQK-ja përmes një komunikate për media, ku thuhet se kanë hartuar një plan të ri për zbatim të lehtësuar të efekteve të rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara.
“Veprime shtesë të cilat pritet të realizohen në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre (3) muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare”, është thënë nga BQK-ja.
Në anglisht dhe me një përshkrim të paqartë, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë që nuk do të ketë masa ndëshkuese për ata që nuk e respektojnë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit për pagesa.
“Qeveria e Kosovës, brenda kompetencave të veta, nuk do të shqiptojë masa ndëshkuese gjatë periudhës tranzitore dhe thërret edhe shtyllat tjera (institucionale) që të mbajnë të njëjtin qëndrim”, shkroi Kurti.
Në fund të njoftimit të tij, ai tha se janë në proces e sipër të edhe disa informacioneve të tjera, por pa treguar se për çfarë informacione bëhet fjalë, çka vlejnë ato për këtë situatë dhe cka saktësisht ndodhë pasi të sigurohen ato informacione në plotëninë e tyre.
Në anën tjetër, përkundër se mund të vazhdojnë ta përdorin dinarin, serbët e Kosovës kanë dalë në protestë kundër vendimit të BQK-së.
Ata kanë protestuar në Mitrovicë të Veriut me ftesë të pensionistëve serbë, por që protestës i janë bashkuara të gjitha partitë politike serbe të Kosovës.
Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e Bankёs Qendrore tё Kosovёs (BQK), nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb, duke specifikuar se valuta e vetme që lejohet për pagesa/transaksione është euro.
Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.
Në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë.
Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti i këtij viti, kjo praktikë është ndalur, duke nxitur reagimin e autoriteteve serbe dhe bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.
Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) akuzuan Qeverinë e Kosovës se nëpërmjet “lëvizjeve të njëanshme” është duke nxitur “tensione të panevojshme” në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnikë, ndërsa kërkoi shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së nën arsyetimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë.