Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është kundërpërgjigjur propagandës së presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili tha se serbët e Kosovës po persekutohen.
Kurti tha se këto janë pretendime të rrejshme nga nga vendi që ka kryer gjenocidin e fundit në shekullin e fundit, shkruan gazeta Online Reporteri.net.
“Të gjitha këto janë pretendime të rrejshme të persekutimeve nga një vend që është i njohur që ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit 20. Kosova doli nga lufta si simbol i luftës për dinjitet dhe triumf i të drejtave të njeriut. Nuk kemi qenë të trishtuar, kemi ndërtuar vetën në një shoqëri shumëertnike dhe shumëkulturore me një shtet që sheh përpara dhe është solid demokratik. Çerekshekulli pas luftës qëndrojmë krenarë si Republikë për të gjithë, shoqëri shumëetnike për të gjithë.”, tha Kurti.
Ai një nga një tregoi për respektimin e të drejtave të qytetarëve serbë të Kosovës.
Kurti tha se ideja se Kosova po kryen spastrim është gënjeshtër.
Ai tha se qeveria serbe përhap frikë dhe pretendime të rrejshme.
Kryeministri foli edhe për projektet milionëshe për serbët.
Kurti i përmendi edhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Serbi dhe shlyerjen e adresave të tyre, që sipas tij po e bëjnë shpopullimin e Luginës së Preshevës.
“Ideja që Kosova po kryen spastrim etnik apo persekutim ndaj komunitet serb është thjesht gënjeshtër që është demantuar nga shumë organizata ndërkombëtare. Të fokusohemi te trajtimi nga Serbia i shqiptarëve etnikë atje sot. Fushata e spastrimit etnik që bëhet në mënyrë administrative… Qeveria serbe sistematikisht i ka hequr mbi 4 mijë e 200 shqiptarë etnikë nga regjistri civil në Medvegjë dhe mbi 2 mijë në Bujanoc. Kjo shlyerje e njerëzve ka pasoja të prekshme, viktimat nuk kanë qasje më në letërnjoftime, pasaporta, shërbime mjekësore, ndihmë sociale, transaksione pronësore, pensione dhe të drejta votimi, pra i bën ata të jenë pa shtet. Kjo fushatë është metodë e shpopullimit të shqiptarëve atje.”, shtoi ai.



