Një 47-vjeçar nga Kosova është dënuar me burgim të përjetshëm në Austri, pasi u shpall fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij 38-vjeçare.
Gjykata Rajonale e Wiener Neustadt ka urdhëruar gjithashtu dërgimin e tij në një institucion të sigurt psikiatrik-mjekësor, ndërsa katër fëmijëve të çiftit u janë ndarë nga 75 mijë euro kompensim secilit.
Vendimi u shpall të martën, pas procesit gjyqësor për vrasjen që kishte ndodhur më 5 prill të këtij viti, të dielën e Pashkëve, në Sooß të distriktit të Badenit.
Një 45-vjeçar tjetër, i akuzuar si bashkëpunëtor në këtë vepër, u lirua nga akuzat. Megjithatë, vendimi ndaj 47-vjeçarit nuk është ende i formës së prerë, pasi ai ka paraqitur kërkesë për pavlefshmëri dhe apel, shkruan Der Standard.
Sipas prokurorisë, gruaja ishte ndarë nga bashkëshorti në vitin 2019, pas rasteve të dhunës. Pas ndarjes, ajo ishte përpjekur të mbronte veten dhe katër fëmijët e tyre përmes urdhrave mbrojtës dhe ndalimit të kontaktit.
Më 5 prill, 47-vjeçari kishte shkuar në shtëpinë në Sooß, ku 38-vjeçarja jetonte me katër fëmijët e saj, të moshës nga nëntë deri në 18 vjeç.
Sipas aktakuzës, pasi kishte lënë dhuratat e Pashkëve që kishte marrë me vete, ai kishte qëlluar tri herë drejt bashkëshortes dhe më pas e kishte goditur rreth 40 herë me një kaçavidë.
Eksperti: “Kotësia e lënduar” luajti rol në krim
Pas vrasjes, 47-vjeçari kishte filluar të pastronte shtëpinë, por ishte befasuar nga djali i tij, i cili po kthehej në shtëpi. Më pas, ai kishte telefonuar policinë dhe ishte dorëzuar pa rezistencë, transmeton Telegrafi.
Gjatë ditës së parë të gjykimit, i akuzuari kishte tentuar ta fajësonte viktimën dhe kishte pretenduar se kishte vepruar në vetëmbrojtje. Ai kishte deklaruar se gruaja kishte një “energji të keqe” ose “energji demonike”.
Eksperti psikiatrik Manfred Walzl kishte konstatuar se 47-vjeçari vuante nga një çrregullim i rëndë i personalitetit dhe e kishte vlerësuar atë si mendërisht të aftë dhe të rrezikshëm.
Sipas ekspertit, “kotësia e lënduar” kishte luajtur rol në krim, ndërsa te 47-vjeçari ishte zhvilluar edhe urrejtja. Ai kishte vlerësuar se ekzistonte rreziku që i pandehuri të kryente një tjetër vepër të rëndë penale, deri në vrasje, në të ardhmen e parashikueshme.
Për këtë arsye, eksperti kishte rekomanduar fuqimisht vendosjen e tij në një institucion të sigurt psikiatrik-mjekësor.



