Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e saj të rregullt, ku ka miratuar një sërë vendimesh që përfshijnë çështje buxhetore, infrastrukturore, shpronësime, emërime dhe marrëveshje ndërkombëtare.
Ndër të tjera, Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe këtë vit mbulimin e policës kufitare, të njohur si Kartoni i Gjelbër për mërgatën që vijnë në Kosovë gjatë stinës së verës.
Vendimi parasheh ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 3 milionë euro.
Me vendimin e sotëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është mundësuar alokimi i mjeteve financiare për realizimin e katër projekteve infrastrukturore në komunat Mitrovicë, Fushë Kosovës, Graçanicë dhe Obiliq.
Në Komunën e Mitrovicës, me investim prej 500 mijë euro, do të realizohet asfaltimi i rrugëve në fshatrat Bajgorë, Rashan, Terstenë, Kutllofc dhe Vllah
Këto janë të gjitha vendimet:
Miratuar vendimin për qiradhënie për sipërfaqen prej 99715 metër katrorë nga sipërfaqja e përgjithshme prej 1685079 metër katrorë, sipas kërkesës së Agjencisë Pyjore të Kosovës/Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje prej 15 vite për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror, Zona Kadastrale, Seqisht, Komuna Hani i Elezit.
Miratuar vendimin për rialokimin e mjeteve buxhetore në shumë prej: 1,150,000.00 €, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit nën programi Projektet e Bashkëfinancimit me Kuvendet Komunale, nga kategoria e shpenzimeve kapitale konkretisht nga projekti kapital “Programi i Bashkëfinancimit me Kuvendet Komunale”, në 4 (katër), projekte kapitale të reja në përputhje me memorandumet e mirëkuptimit për projekte kapitale të nënshkruara nga Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit dhe Kryetarët e Komunave përkatëse.
Miratuar vendimin për rialokimin e mjeteve buxhetore në shumën prej 1,050,000.00 €, në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, nën programi Administrata Qendrore, kategoria e shpenzimeve kapitale konkretisht nga projekti kapital “Programi komunal për zhvillim të infrastrukturës socio-ekonomike dhe bashkëpunim ndër-komunal”, në 4 (katër) projekte kapitale në përputhje me 4 (katër) marrëveshjet për mbështetje financiare për projektet kapitale të nënshkruara nga Ministri i MAPL-së dhe Kryetarët e Komunave përkatëse.
Miratuar vendimin për ndalimin e ekzekutimit të Rregullores për pranimin dhe trajtimin e thirrjeve telefonike në sistemin e caktimit të avokatëve, sipas detyrës zyrtare (Ex-Officio) të Odës së Avokatëve të Kosovës, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës kompetente.
Miratuar vendimin për ndalimin e ekzekutimit të aktit administrativ mbi lartësinë e shpenzimeve për regjistrim, të Odës së Avokatëve të Kosovës, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës kompetente.
Miratuar vendimin për emërimin e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Miratuar vendimin për rialokimin e mjeteve buxhetore në shumë prej 350,000.00 € (treqind e pesëdhjetë mijë euro), në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, nën programi Administrata Qendrore, nga kategoria e investimeve kapitale, konkretisht nga projekti “Programi për Zhvillim Rajonal”, në tetë (8) projekte të investimit kapital në pajtim me Marrëveshjet e Mirëkuptimit për bashkëfinancim të projekteve të nënshkruara nga Ministri i Zhvillimit Rajonal dhe Kryetarët e Komunave.
Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i projektit: Sanimi i Rrëshqitzës në rrugën: Hani i Elezit-Gorancë, Zona Kdadastrale: Rezhancë, Komuna e Hanit të Elezit.
Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i projektit: Rehabilitimi i rrugës Rajonale R112, segmenti: Gjonaj-Bishtazhin, Zona Kadastrale: Gjonaj, Komuna e Prizrenit.
Miratuar Kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumën prej 200,000.00 € (dyqind mijë euro), për financimin e furnizimit dhe instalimit të një gjeneratori të ri në Burgun e Sigurisë së Lartë.
Miratuar Kërkesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve në shumën prej 12,513.00 € (dymbëdhjetë mijë e pesëqind e trembëdhjetë euro), të transferuara në Buxhetin e Republikës së Kosovës, për Ndërmarrjen Shoqërore “Komogllava”.
Miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për KOMPAS – Projekti i Qasjes Gjithëpërfshirëse të Kosovës për Forcimin e Sistemit Shëndetësor.
Emëruar Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore ”lnfrakos” Sh.A., në këtë përbërje:
1. Getuar Zogu, kryesues;
2. Detrina Alishani Sopi, anëtare;
3. Fjolla Gashi, anëtare;
4. Genc Hundozi, anëtar.
Aprovohet ndarja e mjeteve buxhetore në shumë prej 44,004.22 € (dyzet e katër mijë e katër euro e njëzet e dy centë) për Komunën e Shtimes, për përfundimin e projektit ‘Impianti për trajtimin e ujërave të zeza, Shtime, përmes Klauzolës së Investimeve.
Ndarë mjete buxhetore në shumën prej 3,000,000.00 € (tre milionë euro) për zbatimin e Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës” të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.




