Një punëtor 21-vjeçar ka vdekur në Villadossola, në provincën Verbano-Cusio-Ossola të Italisë. Siç raportojnë mediat italiane, bëhet fjalë për një të ri me origjinë nga Kosova, që u godit nga rryma elektrike ndërsa punonte në një platformë në një lartësi prej 6 metrash.
Sipas raporteve fillestare, viktima preku aksidentalisht një kabllo të energjisë elektrike, derisa kishte qenë duke çmontuar skelat, pas përfundimit të renovimit të një objekti.
Virgilio.it shkruan se ndërsa çmontonte skelat, 21 vjeçari dyshohet se mund të ketë goditur pulpën e këmbës në një kabllo energjisë elektrike, duke rezultuar në vdekjen e tij.
Përpjekjet e ndihmësve të emergjencës për ta ringjallur atë ishin të pasuksesshme.