Një rast i ndjeshëm është zbuluar në Mitrovicë, ku një 17-vjeçar është ndaluar nga Policia pasi në telefonin e tij janë gjetur foto me armë dhe granata dore, si dhe dyshohet për kontakte me persona që merren me tregti të paligjshme armësh dhe narkotikësh.
Ngjarja ka ndodhur më 18 tetor 2025, rreth orës 23:45, në rrugën “Adem Voca”, gjatë një kontrolli rutinë të policisë.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, njësia patrulluese kishte ndaluar një automjet për kontroll, kur njëri nga pasagjerët – një 17-vjeçar – ka tentuar të largohet pa lejen e zyrtarëve policorë.
Policia ka arritur ta ndalojë dhe ta shoqërojë në Stacionin Policor Jugu-Mitrovicë, ku gjatë kontrollit të telefonit të tij janë gjetur fotografi ku ai shihet duke mbajtur një granatë dore dhe thika të gjata, si dhe biseda të dyshimta me persona që dyshohet se merren me tregti armësh dhe substancash narkotike.
Në koordinim me njësinë e hetimeve dhe Prokurorin Kujdestar, është urdhëruar konfiskimi i telefonit dhe kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku nuk janë gjetur armë apo substanca të tjera.
Pas kontrollit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në shtëpi, ndërsa është njoftuar që të paraqitet për intervistë në ditët në vijim në prani të avokatit mbrojtës.
Rasti është inicuar për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës” dhe është nën hetime.
/GazetaSinjali/