Është vetëm 16 vjeçar, por punën e bën me shumë dashuri. Ka një kromozom më shumë, por kjo nuk e pengon të kryejë punën si mos më mirë.
Është ky Leart Gashi nga qyteti i Ferizajt, i cili ka filluar punën si farmacist në njërën nga barnatoret e këtij qyteti.
Ndonëse ka vetëm një javë që ka filluar punën, për kolegët e tij është një shok i pazëvendësueshëm.
“Learti ka filluar punën që një javë. Është koleg shumë i mirë. Ne jemi të kënaqur me të. E duam shumë i gjithë stafi dhe e presim në punë gjithmonë të lumtur”, shprehet për RTV Dukagjinin, Albana Ahmeti.
Me një emocion të papërshkrueshëm punën e Leartit po e përjeton edhe nëna e tij, Ganimete Gashi.
Ajo ka thënë se kur e sheh atë duke punuar, i bëhet zemra mal.
“Jam shumë e kënaqur për punën që ka filluar Learti në barnatore. E falënderoj punëdhënësit për mundësinë që i ka dhënë”, shprehet nëna e Leartit, Ganimete Gashi.
Buzëqeshja në fytyrën e Leartit, derisa priste klientët, tregonte më së miri dashurinë ndaj asaj që bënte.