12 faqe pretendime, e dhjetëra tjera me dëshmi të bashkangjitura, kanë arritur prej javësh në adresë të 10 deputetëve të Kuvendit të Kosovës që përbëjnë Komisionin parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere. Letra alarmon deputetët – të pushtetit dhe të opozitës – për “gjakderdhje financiare” në një tender mbi 7.2 milionësh të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).
Aty pretendohet se buxheti i shtetit po dëmtohet rreth për 2 milionë Euro. Implikohet edhe OSHP-ja, raporton gazeta Reporteri.
Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OSHP) dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) po përballen me akuza të rënda nga njëra prej kompanive konkurruese në aktivitetin e Prokurimit për “Furnizim me material medicinal nga LE për nevojat e SHSKUK”. Operatori ekonomik “Ardi” sh.p.k, po pretendon se në këtë tender ka shkelje të legjislacionit në fuqi, e të cilat sipas tyre mund të rezultojnë me dëmtim të buxhetit të shtetit deri në 2 milionë euro.
Krejt situata pretendohet të jetë “gjakderdhje financiare”, ndaj për këtë ata kanë kërkuar edhe ‘ndihmën’ e deputetëve, përkatësisht kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere. Nga SHSKUK-ja thonë se kjo lëndë aktualisht është e pezulluar pas ankesës së parashtruar në OSHP.
Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar letrën që ‘Ardi’ sh.p.k u ka dërguar ligjvënësve më datën 11 korrik 2024. Në këtë letër ata kanë paraqitur detajisht anën e tyre të historisë për të gjithë procedurën e nisur më 27 shkurt të këtij viti, ditën kur u publikua njoftimi për kontratën lidhur me këtë aktivitet të prokurimit.
Pakënaqësitë e kësaj kompanie kanë nisur fill pas publikimit të njoftimit, pasi të njëjtit kanë parashtruar kërkesë për rishqyrtim në Autoritetin Kontraktues të SHSKUK-së, duke pretenduar se dy kërkesa të dosjes së tenderit 7.2 milionësh kanë qenë diskriminuese. Të njëjtit kanë pohuar se përmbajtja e tenderit ka kufizuar konkurrencën në dëm të operatorëve tjerë ekonomikë dhe se ka qenë në dobi të kompanisë ‘Madekos’ – e cila është shpallur fituese e tenderit për dy lote.
“Kërkesa 1. Operatori ekonomik duhet ti ofrojë dëshmi të kënaqëshme Autoritetit Kontraktues se qarkullimi vjetor i Operatorit Ekonomik, gjatë tre viteve të fundit nga data e publikimit të njoftimit për kontratë është jo më pak se Lot 1 – 6,000,000.00 Euro , Lot 2 – 6,000,000.00 Euro dhe Lot 3 – 30,000.00 Euro. Lideri i Grupit të Operatorëve ekonomik duhet të ketë 51% e qarkullimit financiar sipas UDHËZUESIT Nr.001 2023 PËR PROKURIMIN PUBLIK.”, është njëra nga kërkesat që sipas ‘Ardi’ sh.p.k ka qenë diskriminuese në tender.
Ndërsa kërkesa e dytë ka të bëjë me listën e kontratave të natyrës së ngjashme të përfunduara me sukses në tri vitet e fundit, të cilat duhej ofroheshin si dëshmi nga operatorët ekonomikë. Kompania e cila ka parashtruar kërkesën për rishqyrtim, thonë se kjo u refuzua ‘blanko’ nga Autoriteti Kontraktues (SHSKUK), çka pasoi me një ankesë kundër këtij vendimi në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik.
Eksperti obligoi OSHP-në ta përmirësojë thirrjen për tenderim, pas ankesës së “Ardi” SH.P.K.
OSHP-ja ka marrë disa veprime, duke angazhuar një Ekspert Shqyrtues për të vlerësuar pretendimet ankimore të “Ardi” sh.p.k.
Sipas ekspertizës që u publikua në fund të muajit mars, pretendimet e kompanisë në fjalë, janë të bazuara dhe si rrjedhojë Ekspertja Shqyrtuese, Blerina Huruglica, i kishte rekomanduar OSHP-së që të aprovojë në tërësi ankesën e ‘Ardi’ sh.p.k, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
“Si përfundim, Sa i përket pretendimit të parë dhe të dytë të OE ankues lidhur me kërkesat e vendosura në DT pika 8.1&8.2 dhe kërkesa nr.5 pika 9.1& 9.2, ekspertja shqyrtuese konsideron se AK duhet vlerësuar këshillën në udhëzuesin për prokurim publik në mënyrë që të zgjerohet konkurrenca dhe oferta me çmimin më të lirë, sepse në rastin konkret kemi të bëjmë me furnizim, të cilat AK nuk i kufizon që të bëhen vetëm nga prodhuesi, por edhe nga personat e autorizuar nga prodhuesi, dileri i autorizuar ose përfaqësuesi i dilerit me dëshmi, prandaj këto kërkesa në DT, AK mund të mos i kufizoj me vlera, ose të paktën të vendosë vlera të arsyeshme të qarkullimi nën 1% të vlerës së parashikur, ndërsa sa i përket kërkesës 9.1& 9.1 konsideroj se AK duhet që të mos kufizoj vlerën, por të lejohet si kriter i hapur konform këshillës në Rrpp, për faktin se kufizohet konkurrenca, andaj pretendimi i OE ankues gjendet i bazuar”, thuhet në raportin e ekspertizës.
Pas konstatimeve në ekspertizë, OSHP-ja kishte marrë vendim përmes të cilit ka aprovuar ankesën e kompanisë ‘Ardi’ sh.p.k dhe ka urdhëruar që Autoriteti Kontraktues të bëjë përmirësimet e nevojshme në dosjen e tenderit mbi 7.2 milionësh.
“Aprovohet, si pjesërisht e bazuar ankesa e Ardi SH.P.K. me nr. 2024/0204 , e datës 12/03/2024, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizim me material medicinal nga LE për nevojat e SHSKUK-së”, me numër të prokurimit 00220-24-1597-1-1-1, iniciuar nga autoriteti kontraktues (AK) – “SHSKUK – Shërbimi Spitalor Klinik Universitare I Kosovës”.
Anulohet njoftimi për kontratë lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizim me material medicinal nga LE për nevojat e SHSKUK-së”, me numër të prokurimit 00220-24-1597-1-1-1, iniciuar nga autoriteti kontraktues (AK) – “SHSKUK – Shërbimi Spitalor Klinik Univerzitare I Kosovës”. Obligohet AK që të bëjë përmirësimet e nevojshme në dosjen e tenderit sipas arsyetimeve të dhëna nga paneli shqyrtues”, thuhej në vendimin e OSHP-së të datës 18 prill.
Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka obliguar SHSKUK-në që ta ul në masë të madhe kërkesën për qarkullimin vjetor të operatorit ekonomik, i paraparë në vlerë prej 6 milionë euro, me qëllim që të rritet konkurrenca dhe të mos dëmtohet buxheti i Kosovës.
“Paneli konsideron se, kërkesën e vendosur nga Autoriteti Kontraktues në Dosjen e Tenderit dhe në Njoftim për Kontratë lidhur me gjendjen ekonomike dhe financiare, ku thuhet se: “Operatori ekonomik duhet ti ofrojë dëshmi të kënaqshme Autoritetit Kontraktues se qarkullimi vjetor i Operatorit Ekonomik, gjatë tre viteve të fundit: 2021,2022,2023 është jo më pak se: Lot 1 – 6,000,000.00 Euro (Gjashtëmilion Euro) Lot 2 – 6,000,000.00 Euro (Gjashtëmilion Euro)” edhe pse kjo kërkesë sipas AK është brenda pragut të nenit 68, paragarfit 1 të LPP-së, por kjo dispozitë ka shpjeguar për të përcaktuar vetëm kufirin apo vijën e fundit e cila nuk mund të kalohet, por asnjë herë nuk është vendosur që ajo kërkesë duhet të jetë gjithmon e kërkuar maksimalisht nga autoritet kontraktues dhe e cila sipas panelit shqyrtues për këtë aktivitet mund të bie në kundërshtim në këtë rast me nenin 7 të LPP të sipër përmenduar. Andaj, në bazë të sqarimit të ankuesit të paraqitur përmes pretendimit ankimore duke e pasur parasysh natyrën e kësaj kontrate me këtë vlerë aq të madhe dhe e cila është e rrallë, si dhe duke e pasur parasysh se nuk është kërkesë e vetme e përcaktuar në Dosje të Tenderit, por ka edhe kërkesa të tjera të cilat ndihmojnë në përzgjedhjen e kompanive profesionale dhe të qëndrueshme, atëherë, sikurse Eksperti Shqyrtues edhe Paneli Shqyrtues konsideron se një kërkesë e tillë është e lartë dhe kufizon konkurrencën dhe pjesëmarrjen e Operatorëve Ekonomik duke pasur parasysh natyrën e këtij aktiviteti të prokurimit. Si rrejdhoj, AK këtë kërkesë duhet ta ulë në masë të madhe, me qëllim që të rrit konkurrencën dhe mos ta dëmtoj buxhetin e Republikës së Kosovës, përndryshe nëse këtë nuk e bënë atëherë, kufizon konkurrencën dhe favorizon të tjerët të cilët pastaj mund të ofertojnë me çmime shumë të larta”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Po ashtu, OSHP-ja ka obliguar SHSKUK-në që ta ndryshojë kërkesën për listën e kontratave të natyrës së ngjashme të përfunduar me sukses në tri vitet e fundit.
Në vendim thuhet se sipas Ligjit për Prokurim Publik, për të siguruar dhe vlerësuar kapacitetin profesional të një operatori ekonomik, nuk është e domosdoshme të kërkohet patjetër vlera e realizimit të tyre kur mund të kërkohen lista të kontratave të realizuara.
Katër ditë pas vendimit të OSHP-së, Autoriteti Kontraktues ka publikuar njoftimin për informacione shtesë dhe përmirësim të gabimeve në dosjen e tenderit.
Kërkesën për gjendjen ekonomike dhe financiare në tri vitet e fundit të operatorëve ekonomikë, Autoriteti Kontraktues e ka ndryshuar për Lotet 1 dhe 2 nga 6 milionë në 5 milionë euro. Ndërsa sa i përket kërkesës për listën e kontratave, Autoriteti Kontraktues ka bërë ndryshime duke ulur vlerën e kontratave të përmbushura me sukses në tri vitet e fundit nga 1.5 herë në vlerë të lotit, në 1.3 herë.
“Ofertuesi duhet të ofrojë një dëshmi të kontratave të natyrës së ngjashme të përfunduar me sukses në tri vitet e shkuara nga data e publikimit të këtij njoftimi për kontratë, të përcjellur me referenca apo raporte të pranimit 1.3 herë në vlerë të lotit (vlerës së parashikuar) ose loteve që oferton”, thuhet në njoftimin e datës 22 prill.
E, afat për dorëzimin e ofertave të tyre operatorëve ekonomikë, Autoriteti Kontraktues u kishte lënë vetëm një ditë. Të gjithë ata që planifikonin të marrin pjesë më këtë tender, duhej të dorëzonin ofertat e tyre më 23 prill deri në orën 13:00.
Të pakënaqur me ndryshimet e bëra, kompania e cila ka nisur betejën me OSHP-në dhe SHSKUK-në, ka parashtruar sërish kërkesë për rishqyrtim dhe ndryshim të sërishëm të kritereve në dosjen e tenderit.
“Duke parë se AK SHSKUK ishte tallur me vendimin e OSHP me numër 2024/0204 me të cilin ishte obliguar që këto kritere diskriminuese të ndryshoheshin thelbësisht dhe në masë të madhe, ku siç sihet AK SHSKUK këto ndryshime i kishte bërë në masë të papërfillshme dhe në mënyrë sipërfaqësore, e që rrjedhimisht janë kërkesa shumë të larta që pa nevojë kufizojnë konkurrencën dhe diskriminojnë operatorët ekonomik dhe në anën tjetër favorizojnë operatorin ekonomik Madekos shpk, ne operatori ekonomik Ardi shpk, kundër Njoftimit për informata shtesë dhe përmisim të gabimeve B54 të datës 22.04.2024, kemi parashtruar kërkesë për rishqyrtim pranë AK SHSKUK, ku kemi kërkuar që këto kritere të ndryshuara të ndryshohen përsëri siç ka thënë edhe vetë OSHP-ja sepse vazhdojnë të jenë diskriminuese dhe dëmtojnë buxhetin e Kosovës. Njëjtë sikurse kërkesën e parë, edhe këtë kërkesë AK SHSKUK e kishte refuzuar pa e shqyrtuar fare pretendimet ankimore me pretendimin se është parashtruar jashtë afatit ligjore”, thuhet në letrën e kompanisë ‘Ardi’ sh.p.k drejtuar deputetëve, të cilin e ka siguruar Gazeta Online Reporteri.net.
Të njëjtit pretendojnë se kanë pasur ofertën më të lirë në këtë aktivitet të prokurimit për tri Lotet, mirëpo sipas tyre, sërish është shpallur fitues operatori ekonomik “Madekos”, për të cilin pohojnë se ka pasur ofertë më të shtrenjtë për 2 milionë euro.
Drama për këtë tender nuk ka përfunduar me kaq, pasi operatori ekonomik ‘Ardi’ sh.p.k ka parashtruar sërish ankesë në OSHP-në, për të pasuar me angazhimin e radhës të Ekspertit Shqyrtues.
Gjetjet e ekspertit të dytë të OSHP-së
Në letrën dërguar deputetëve, ‘Ardi’ sh.p.k thotë se edhe në ekspertizën e dytë, Ekspertja Shqyrtuese e angazhuar nga OSHP-ja, Blerina Huruglica, kishte vendosur në favor të tyre.
“Njëjtë sikurse herën e parë, përsëri eksperti shqyrtues i angazhuar nga OSHP, kishte përpiluar Raportin e ekspertizës që mbanë numër 2024/0388, me të cilin raport kishte konstatuar se AK SHSKUK me Njoftimin për informata shtesë dhe përmirsim të gabimeve B54 të datës 22.04.2024, nuk kishte respektuar vendimin e parë të OSHP me numër 2024/0204 dhe se kriteret e ndryshuara me këtë njoftim të datës 22.04.2024 vazhdojnë të jenë diskriminuese në kuptim të nenit 7 të Ligjit për Prokurimin Publik dhe se kufizojnë konkurrencën dhe rrjedhimisht dëmtojnë buxhetin e Kosovës”, thuhet në letër.
Po ashtu, ekspertiza thotë se pas vendimit të 18 prillit të OSHP-së, Autoriteti Kontraktues ka publikuar formularin për korrigjime, duke specifikuar datën e hapjes së ofertave më datë 23 prill. Me këtë, ekspertja Huruglica konstaton se Autoriteti Kontraktues nuk ka bërë zgjatje të afatit konform nenit 53.9 të Ligjit për Prokurim Publik.
“Ekspertja shqyrtuese sqaron se, në rastin konkret, Paneli shqyrtues me datë 18.04.2024 në ora 16:12 publikon vendimin ndërsa AK i bie se me datë 19.04.2024 ka pranuar vendimin, për arsye të orarit zyrtar!
Si rrjedhojë, pas vendimit i njëjti publikon formularin për korrigjime me datë 22.04.2024 (njofton me e-mail në E-prokurim) duke specifikuar datën e hapjes së ofertave me datë 23.04.2024, andaj sipas sqarimeve më lartë, AK konform nenit 53.9 të LPP-së, nuk ka bërë zgjatje të afatit, me qëllim që të ju mundësoj operatorëve ekonomik që të përgatisin ofertat e tyre pas ndryshimeve”, thuhet në ekspertizën e publikuar më 22 maj.
Përmes këtij raporti të ekspertizës, është rekomanduar që OSHP-ja të aprovojë sërish ankesën e ‘Ardi’ sh.p.k dhe ta obligojë Autoritetin Kontraktues që të bëjë ndryshimet në dosjen e tenderit sipas vendimit të datës 18 prill.
Më 12 qershor, Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka marrë vendim ku ka aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesën e ‘Ardi’ sh.p.k, teksa i ka dhënë dritën jeshile Autoriteti Kontraktues që të vazhdojë tutje me procedurën e prokurimit.
“Aprovohet, si pjesërisht e bazuar ankesa e “Ardi” SH.P.K. me nr. 2024/0388, e datës 03/05/2024, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizim me material medicinal nga LE për nevojat e SHSKUK-së”, me numër të prokurimit 00220-24-1597-1-1-1, iniciuar nga autoriteti kontraktues (AK) – SHSKUK – SHËRBIMI SPITALOR KLINIK UNIVERZITAR I KOSOVËS.
Mbetet në fuqi, njoftimi për kontratë lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizim me material medicinal nga LE për nevojat e SHSKUK-së”, me numër të prokurimit 00220-24-1597-1-1-1, iniciuar nga autoriteti kontraktues (AK) – “SHSKUK – SHËRBIMI SPITALOR KLINIK UNIVERZITAR I KOSOVËS”. AK mund të vazhdoj tutje me procedurën e prokurimit”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Një ditë më vonë, Autoriteti Kontraktues ka njoftuar se fitues të kontratës janë shpallur kompania ‘Madekos’ për Lotin 1 dhe 2, ndërsa ‘Agani LTD’ për Lotin 3.
“Në të njëjtën datë ka publikuar edhe Letrën Standarde për tenderuesin e eliminuar me të cilin neve OE Ardi shpk na ka eliminuar nga ky aktivitet i prokurimit”, thuhet më tej në letër, teksa njoftojnë se kanë parashtruar sërish kërkesë për rishqyrtim e cila është refuzuar nga Autoriteti Kontraktues.
Kompania ‘Ardi’ sh.p.k ka vazhduar më tej me insistimin e saj dhe ka parashtruar sërish ankesë në OSHP, e cila aktualisht ndodhet ende në proces. Kjo kompani iu kërkon deputetëve që të ndërmarrin veprimet ligjore në drejtim të dëmit, për të cilin thonë se është 2 milionë euro.
“Andaj, duke qenë se gjendemi në një fazë të këtij aktiviteti të prokurimit ku ende nuk është shkaktuar pasoja, e cila pasojë nënkupton dëmtimin e buxhetit në vlerë prej 2 milion euro nëse vendimi i AK SHSKUK i datës 13.06.2024 për të shpërblyer me kontratë OE Madekos mbetet në fuqi dhe duke parë shkeljet e hapura të AK SHSKUK po ju drejtohemi me këtë parashtresë që të ndërmerrni veprimet ligjore në drejtim të këtij dëmi. Siç do të argumentojmë në vijim, AK SHSKUK po insiston t’i mbaj në fuqi dy kriteret e dosjes së tenderit të lartcekura vetëm që t’i hap rrugë Operatorit Ekonomik Madekos sh.p.k që të shpallet fitues me çmime marramendëse dhe shumë të shtrenjta sepse i njëjti ndihet pa konkurrencë me këto kritere diskriminuese që shkojnë në favor të OE Madekos dhe duke u ndjerë i pakonkurrencë ka pasur edhe komoditetin të ofertoj me çmime marramendëse të cilat janë afro 2 milion euro më shtrejtë sesa oferta jonë”, vijon më tej letra e kompanisë në adresë të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.
SHSKUK: Tenderi për furnizim me material medicinal është pezulluar
Lidhur me gjithë këtë tollovi, Gazeta Online Reporteri.net ka kontaktuar OSHP-në, SHSKUK-në, Ministrinë e Shëndetësisë dhe kompaninë fituese, Madekos.
OSHP-ja nuk ka dhënë përgjigje konkrete në pyetjet e redaksisë, duke pohuar se në faqen zyrtare të këtij institucioni janë të publikuara ekspertiza dhe vendimi lidhur me këtë aktivitet të prokurimit.
“Te nderuar, Organi Shqyrtues i Prokurimit, pas analizimit të pyetjeve tuaja të datës 12korrik 2024, ju njofton se për këtë aktivitet të prokurimit në ueb faqen zyrtare të OSHP-së janë të publikuar ekspertiza dhe vendimi lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizim me material medicinal nga LE për nevojat e SHSKUK-se” me nr. të prokurimit: “00220-24-1597-1-1-1”, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues (AK) –Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, të cilat ju dhe çdo palë e interesit mund ti lexoj dhe ti analizoj, natyrisht edhe të merrni te gjitha përgjigjet per pyetjet e kërkuara”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së për Gazetën Online Reporteri.net.
Ndërsa nga menaxhmenti i SHSKUK-së kanë bërë me dije për Gazetën Online Reporteri.net se lënda është e pezulluar pas ankesës në OSHP.
“Të nderuar, Bazuar në kërkesën e Gazeta Online Reporteri.net për qasje ne dokumentet e tenderit: “Furnizim me material medicinal nga LE për nevojat e SHSKUK-së” Nr.i prokurimit: 00220-24-1597-1-1-1, Ju njoftojmë se lënda është e pezulluar pas ankesës në OSHP”, thanë nga SHSKUK-ja të mërkurën.
Nga MSH-ja kanë refuzuar të japin prononcim lidhur me rastin, duke u arsyetuar se aktiviteti është në kuadër të SHSKUK-së.
Kompania fituese: Oferta jonë ka qenë në përputhje me kërkesat e SHSKUK-së
Ndërkohë kompania “Madekos” pohojnë se oferta e tyre që u dorëzua më 23 prill, ka pasur çmimin më të ulët konform Ligjit për Prokurimin Publik dhe se e tëra ka qenë në përputhje me kërkesat e Autoritetit Kontraktues.
“Oferta jone e dorëzuar me date 23.04.2024, Ne baze te Njoftimit mbi vendim te AK-SHSKUK jemi te rekomanduar si oferta e pergjegjshme me çmimin me te ulet konform ligjit për prokurimin publik. Ne këtë aktivitet te prokurimit, Oferta jone ka qene ne përputhje me Kerkesat e AK-SHSKUK-se te paraqitura ne Njoftimin për kontrate dhe Dosjen e Tenderit”, thanë nga “Madekos” për Gazetën Online Reporteri.net.
Ata kanë komentuar edhe ankesat e kompanisë “Ardi” sh.p.k duke thënë se ky operator ekonomik ka dërguar lëndën në OSHP gjatë fazës së vlerësimit, por që nuk ka kuptim as ligjor as procedural.
“OE Ankues ”Ardi” shpk gjate fazes se vleresimit me date 03.05.2024, ka dërguar lenden ne OSHP per kriteret e vendosura nga AK-SHSKUK, KU NUK KA KUPTIM AS LIGJOR AS PROCEDURAL, Dhe prap OSHP ka nxjerre vendimin nr. 388/24 me ate 12.06.2024 ku i ka jep te drejte AK-SHSKUK te vazhdoj tutje me procedurat e prokurimit pasi te gjitha kerkesat e vendosura ne Njoftimin per Kontrate dhe Dosjen e Tenderit kane qene ligjore. Me date 13.06.2024 AK-SHSKUK ka bere Njoftimin mbi Vendim ku ne si OE jemi te rekomanduar per kontrate (Lot 1 dhe Lot 2), dhe prap i njejti e dergon lenden ne OSHP duke kerkuar te beje Anulimin e komplet Tenderit sepse nuk i ka plotesuar kriteret dhe ky rast sipas nesh eshte i gjykuar me vendimin e OSHP-se 388/24”, thuhet në përgjigjen me shkrim të “Madekos”./reporteri.net