Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale po vazhdojnë ekzaminimet në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku u zhvillua aksioni policor pas sulmeve të një grupi terroristësh serbë, ku mbeti i vrarë zyrtari policor, Afrim Bunjaku.
Në vazhdën e hetimeve që po kryhen në atë pjesë, burimet brenda PSRK-së kanë bërë me dije për Sinjalin se tashmë është gjetur trupi i pajetë i një terroristi të vrarë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, tre sulmues janë vrarë dhe një është arrestuar, kurse edhe katër persona të tjerë janë arrestuar për posedim të armëve, municionit dhe radiolidhjeve.
Megjithatë, vet ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e konfirmoi mbrëmë se numri i të vrarëve në mesin e terroristëve mund të jetë më i madh./GazetaSinjali